Lajme Shqip Friday, 19 April 2013 12:49

Bruksel – Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s Anders Fogh Rasmussen, ka thënë se aleanca është e gatshme që të luaj rolin e saj, në implementimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se pret që marrëveshja të arrihet shumë shpejtë.

“NATO përkrah dialogun dhe jemi të gatshëm që të luajmë rolin tonë nëse ka marrëveshje” ka thënë Rasmussen.

Ai nuk është përgjigjur në pyetjen nëse Aleanca Veriatlantike do të japë garanci që ushtria e ardhshme e Kosovës nuk do të vendoset në komunat veriore që është edhe kërkesë e palës serbe në bisedime.

Rasmussen ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me Baroneshën Ashton.

“BE dhe NATO bashkëpunojnë ngushtë dhe koordinojnë hapat e tyre” ka thënë ai.

Rassmusen nuk ka folur për takimin me delegacionin serb derisa zyrtarë të NATO’s kanë thënë se takimi i Dacic dhe Vucic me Sekretarin e NATO’s nuk ka qenë formal.(LajmeShqip.com)