Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 16:54

Shkup – Maqedonia dhe Greqia janë duke zhvilluar negociata sekrete për zgjidhjen e çështjes së emrit, ndërsa ato udhëhiqen nga personat të cilët nuk merren me diplomaci. Kështu shkroi gazeta greke “Makedonija”, e cila thirret në burime diplomatike greke.

Sipas gazetës, në tavolinë diskutohen tre emra si zgjidhje të mundshme, të cilat paraqesin emra me përcaktim gjeografik, si: Republika Veriore e Maqedonisë, Republika e Maqedonisë së Vardarit dhe Maqedonia e Epërme.

Për më tepër për TV A1, autorja e tekstit Angelika Panu ka konfirmuar se përpos bisedave për këto tre propozime, diskutohet edhe për kombësinë dhe gjuhën. ”Ashtu, sa i përket bazës së zgjidhjes, gjuhë “maqedonase” (makedonski) është ideja për zgjidhje. Edhe për kombësinë ekziston zgjidhje si “qytetarë të Maqedonisë së Vardarit”, për shembull”, ka thënë Panu.

Në tërë këtë proces, sekret mbeten edhe personat të cilët i udhëheqin negociatat. Gazeta greke shkruan se Greqinë e përfaqëson një këshilltar jozyrtar i kryeministrit me iniciale A.R., dhe një grek aktiv, i cili jeton në Shkup, me iniciale M.M. Ndërsa, sa i përket palës negociuese maqedonase, atë e përfaqësojnë dy vëllezër me iniciale V.M. dhe S.M.. Njëri është punëtor në shërbimet sekrete maqedonase, ndërsa tjetri në Doganën e Maqedonisë.

”E di se janë dy vëllezër. Njëri punon në doganë, ndërsa tjetri për shërbimet sekrete. Këto janë informatat e mia, por jam e sigurt se askush nuk do ta kishte bërë publike një gjë të tillë”, është shprehur autorja e tekstit në gazetën greke “Makedonija”.

Nga ana tjetër, ajo që lë përshtypje se diçka po zhvillohet është qasja e ndryshuar e shefit të diplomacisë greke Dimitris Drucas, i cili në një deklaratë për mediat, ka lavdëruar në mënyrë indirekte politikën e Gruevskit, duke thënë se ka përmirësime në qasjen e Maqedonisë në raport me kontestin e emrit.

”Përshtypja jonë është se ngadalë, por me siguri, ka ndryshime në qasjen e Shkupit. Ata kuptuan se duhet të gjejnë marrëveshje me Greqinë me qëllim që të kenë perspektivë reale evropiane”, ka deklaruar Drucas.

Ish-diplomatë në Maqedoni janë të mendimit se informatat e tilla nuk janë diçka e re dhe se me kalimin e kohës është vërtetuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Për ish-diplomatin Denko Maleski informatat e tilla duhet të merren me rezerva, sepse, sipas tij, çështja e emrit është shumë më delikate për t’u zgjidhur me negociata serioze.

”Kjo nuk është diçka e re, që nga fillimi i kontestit ka pasur tendenca të tilla dhe kjo më bën të dyshoj se ka ndonjë  të vërtetë në këtë iniciativë. Gazeta greke, thjesht, mund të bëjë hulumtim të terrenit dhe disponimit të qytetarëve për këtë çështje. Me rëndësi është të koncentrohemi në efikasitetin e negociatave zyrtare me ndërmjetësues Nimicin”, vlerëson Maleski.

Ai është shprehur pesimist për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së emrit. ”Nuk ka vend për optimizëm të madh. Në shumë raste është thënë e njëjta gjë, por nuk ka ndryshuar asgjë. E tani nuk mundet që brenda natës, për 3 muaj të ketë ndonjë ndryshim. Ky është proces që do të zgjasë, sepse nëse realisht do të kërkohet zgjidhje dhe qasje serioze, do të ketë konsulta me të gjitha palët, partitë dhe faktorët tjerë”, potencon Denko Maleski.

Ndërkaq, analisti politik, Mersel Bilalli, ka thënë se bëhet fjalë për blof. ”Këto janë improvizime të VMRO-DPMNE-së. Nuk mund të ketë ndonjë të vërtetë aty. Pa marrë parasysh se nga vijnë informatat, ato janë vetëm blof. Çështja e emrit do të zgjidhet nga Qeveria e ardhshme dhe asnjëra nuk do të mund t’i ikë kësaj. Drucasi po e qetëson situatën para se të arrihet zgjidhja”, nënvizoi Billali.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë i hodhën poshtë informatat për negociata sekrete për emrin. ”Nuk kemi informata për negociata të tilla. Këto janë spekulime parazgjedhore. Mbetemi në qëndrimin se negociatat vazhdojnë me ndërmjetësimin zyrtar të ndërmjetësit të KB-së, Metju Nimic, dhe presim që ai të caktojë takimin e radhës”, thuhet në reagimin e MPJ-së.