Lajme Shqip e Enjëte, 16 Gusht 2012 15:16

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se ende nuk dihet kur dhe në çfarë forme do të vazhdojë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. Ai ka thënë se për këtë çështje do të flitet më 4 shtator në Bruksel me zyrtarët më të lartë të BE-së.

“Aktualisht ende nuk janë kristalizuar çështjet as se kur do të nisë, as se në çfarë formati dhe as për temat e shtruara në dialog”, u ka thënë Daçiq gazetarëve.

Ai ka shtuar se ende nuk është qartësuar çështja nëse ekziston gatishmëria e Prishtinës që dialogun me Beogradin ta ngrisë në një nivel më të lartë, nga niveli teknik në atë politik.

Aktualisht, në Kosovë po zhvillohet një debat në lidhje me nisjen e një dialogu politik me Serbinë, derisa sikurse Qeveria në Prishtinë, ashtu edhe presidenti serb, po kërkojnë konsensus ndërpartiak për këto lloj bisedimesh.

Nga bisedimet teknike të zhvilluara deri në mars të këtij viti nën ndërmjetësimin e BE-së janë arritur 7 marrëveshje. Disa prej tyre nuk kanë gjetur ende zbatim në jetën e përditshme.

Ndërkaq, zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se nuk do t’i heqin strukturat paralele në Kosovë dhe kanë theksuar se ndarja nuk është temë për Beogradin, meqë nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Shefi i Zyrës së Kosovës në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vullin, në një intervistë për mediat serbe është shprehur se nuk beson se heqja e institucioneve të Serbisë në Kosovë do të jetë kusht për anëtarësimin në BE.

“Së pari pesë shtetet anëtarë të BE-së nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet. Dhe, e dyta, është e pamundur që BE të kërkojë nga shtetet që duan të bëhen anëtare, që të shkelin ligjet dhe Kushtetutën e tyre”, është shprehur Vullin.

Ai ka bërë të qartë pozicionin e Beogradit zyrtar që të mos pajtohet me faktin se Kosova është shtet i pavarur tashmë.

“Derisa ka serbë në Kosovë, ajo nuk mund të jetë shtet i pavarur”, është shprehur Vullin.

Shuarja e strukturave paralele serbe të sigurisë dhe të fushave tjera në Kosovë është një kërkesë e vazhdueshme që i drejtohet Serbisë nga qendrat perëndimore. (LajmeShqip.com)