Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 19:12

Beograd – Gjykata e Lartë në Beograd solli aktvendim për kontestin midis shtetit të Serbisë dhe trashëgimtarëve të ish-presidentit të Ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin trashëgimtarëve ua merr të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë në Uzhiçka 34.

Trashëgimtarët e Millosheviqit kanë të drejtë të dorëzojnë padi deri te Gjykata e Apelit në afat prej 15 ditësh, pasi ta pranojnë aktvendimin, njofton Tanjug.

Gjykata e Lartë solli vendim se janë absolutisht të asgjësuara vendimet e Komisionit të Qeverisë së Serbisë për çështje banesore nga viti 1999, si dhe më shumë marrëveshje për shit-blerjen e banesave në këtë shtëpi, të kontraktuara midis Millosheviqit dhe Qeverisë serbe.

Anëtarët e familjes së Millosheviqit janë paditur si trashëgimtarë të shtëpisë, për të cilën shteti pohon se është marrë në kundërshtim me Ligjin për banim, pasi që Millosheviq atëherë ka pasur një banesë në rrugën Tolstoeva 33.

Shtëpia kontestuese ka rreth 100 metra katrorë dhe Millosheviqi e ka blerë më 20 korrik 1999, për pesë mijë marka gjermane të atëhershme.

Shteti fillimisht e paditi Millosheviqin, si nënshkrues të marrëveshjes, por pas vdekjes së tij më 11 mars 2006, procedura ka vazhduar kundër bashkëshortes së tij Mira Markoviq dhe fëmijët e tij Maria dhe Marko Millosheviq.

Mira Markoviq dhe Marko Millosheviq morën azil në Rusi, ku nuk mund të arrestohen në pajtim me urdhër arrestimin serb, i cili u ngrit për shkak dyshimit se kanë organizuar një grup për kontrabandimin e cigareve gjatë viteve të 90-ta nga shekulli i kaluar. Serbia Markoviqin e kërkon edhe për shkak akuzës se e ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë sistemimit të banesave të Qeverisë së Serbisë në vitin 2000.