Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 10:06

Bejrut – Ushtria siriane ka nisur operacionet për ‘vendosjen e sigurisë’ në qytetin Xhisr ash Shugur dhe në rrethinat e tij, bëjnë të ditur mediat lokale.

Më herët gjatë javës, qeveria siriane deklaroi se 120 agjentë sigurie mbetën të vrarë në qytetin në fjalë, në veri-perëndim të vendit.

Njoftimi dhe pozicionimi i trupave në këtë zonë ka shkaktuar një valë eksodi të banorëve drejt Turqisë.

Qeveria ka fajësuar për vrasjet grupe të armatosura, por raportohet se edhe mes forcave të sigurisë ka agjentë të rebeluar ndaj regjimit.

Televizioni publik sirian tha se persona të armatosur kanë marrë nën kontroll qytetin dhe kanë ngritur barrikada për të penguar ushtrinë.

Ndërkohë, qeveria turke thotë se mbi 2 mijë sirianë kanë kaluar kufirin për të kërkuar strehim nga ofensiva e paralajmëruar e ushtrisë.