Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 19:56

Shkup – Liderët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, të enjten ose të premten duhet të takohen dhe ta definojnë atë për të cilën janë marrë vesh grupet punuese të të dy partive në dhjetë ditët e kaluara, bënë të ditur për Portalin Lajmeshqip.com, burime nga BDI.

Por, nga partia e Ahmetit nuk dëshirojnë të konkretizojnë vendin dhe orën e saktë të takimit. Edhe në VMRO-DPMNE nuk komentojnë asgjë për negociatat me BDI-në ose për detajet e takimit.

Ish-drejtori i Drejtorisë për të ardhura publike, Goran Trajkovski, për të cilin burimet partiake thonë se me siguri do të fitojë funksion të ri, ku më së shpeshi përmenden kombinimet për ministër të ri për Punë të Brendshme, të mërkurën deklaroi se për dy ditë do të jenë të njohura më tepër detaje për përbërjen e qeverisë së re.

Deri më tani, njeriu i parë i parlamentit, Trajko Veljanovski, para takimit zyrtar për seancën konstituive, aspak nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes se a do të ngelet në krye të Parlamentit, por vetëm u përgjigj se pyetjen e tillë e konsideroi si jokorrekte.

Sipas burimeve nga partitë, për ditët e kaluara, funksioni në Parlament me siguri do t’i takojë BDI-së, madje spekulohet edhe me emrat e Ermira Memetit, Teuta Arifit dhe Xhevat Ademit, si spikerë të ardhshëm.

Për VMRO-DPMNE-në ka qenë i pranueshëm një vendim i tillë, por, siç kuptuam, në atë rast Ahmeti do të duhet të heq dorë nga kërkesat për funksion në ministritë më të rëndësishme. Ministria për Transport dhe Lidhje në atë rast duhet të jetë resursi më i rëndësishëm i ri që do ta kishte fituar partia fituese shqiptare, BDI, në periudhën kur ishte në koalicion me LSDM-në, ndërsa nga BDI dhe në vitet e kaluara nuk e kanë fshehur dëshirën që sërish të ulet një njeri i tyre në këtë karrige, që do të thotë kontroll ndaj shumë tenderëve dhe sektorëve fitimprurës, si ndërtimtaria, telekomunikimet etj.