Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 19:45

Shkup – Edhe pse paralajmërohet se partnerët e vjetër-të rinj të koalicionit do të takoheshin mbrëmë ose atë do ta bëjnë gjatë vikendit, udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë këtyre dy ditëve do të jetë jashtë shtetit, bën të ditur një zyrtar i lartë i BDI-së.

Kjo ndërlidhet edhe me faktin, sipas të cilit, jashtë vendit gjendej edhe zv/kryeministri Abdilaqim Ademi. Ai e ka ndërprerë qëndrimin në njërën prej shteteve fqinje, pasi që në mbrëmjen e të premtes ka marrë pjesë në konferencën e mbajtur në Shkup, dedikuar Marrëveshjes së Ohrit, ku para medieve ka refuzuar të tregojë se deri ku kanë ardhur negociatat për formimin e qeverisë së ardhshme.

“Kemi qëndrim fleksibil, por nuk heqim dorë nga vendi i kryetarit të parlamentit. Por nëse nuk e fitojmë trashë do ta paguajnë”, ka thënë një zyrtar i BDI-së, i cili nuk ka dashur të komentojë diçka më tepër, as të informojë më shumë rreth takimit eventual Ahmeti-Gruevski para fillimit të javës së ardhshme.

Në seancën e të shtunës së parlamentit, në të cilën duhet të verifikohen mandatet e 123 deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit, sigurisht nuk do të zgjidhet kryetari i shtëpisë Ligjvënëse. Deputeti më i vjetër, në rolin e kryetarit, mund ta ndërpresë seancën dhe zgjedhjen e spikerit parlamentar ta caktojë për javën e ardhshme. Në këtë periudhë, presidenti Gjorgje Ivanov do ta ndajë mandatin për formimin e qeverisë (më së voni 10 ditë nga konstituimi i parlamentit), pra kabineti duhet të jetë gati për 20 ditë prej tani.

Siç mëson jo zyrtarisht portali “Lajmeshqip.com”, ky vendim personal gjatë ndarjes së dikastereve qeveritare mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, do të ngelet të vërtetohet në takimin direkt midis liderëve të dy partive, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, që do të realizohet në fillim të javës së ardhshme, së bashku me zgjedhjen e rasteve të Hagës dhe çështjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Të dy partitë, thuhet se kanë marrëveshje për ligjet e reja me të cilat do të rregullojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe simbolet e bashkësisë etnike të dytë me madhësi në shtet. Siç duket BDI, do t’i marrë resurset e Ministrisë për Transport e Lidhje dhe të Drejtësisë. Në këtë kombinim u takojnë edhe tre dikastere me ndikim, por nuk dihet nëse do ta marrin ministrinë e tretë të dëshiruar, atë të Mbrojtjes. Por, ky opcion ndërlidhet me atë se çfarë poziteë kryesore do marrë BDI në ministrinë për Punë të Brendshme.

Kuadrat e BDI-së do ta mbajnë Ministrinë për ekonomi, por si duket edhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, përderisa nuk dihet fati i Ministrisë për Shëndetësi apo e njëjta do të kombinohet me Fondin e Shëndetësisë.

Sido që të jetë, mbetet që në mënyrë të barabartë të kënaqen apetitet e degëve dhe ndikimeve brenda këtyre dy partive.