Lajme Shqip e Diel, 22 Korrik 2012 12:49

Uashington – Specialistë të skuadrave për çaktivizimin e bombave në shtetin Kolorado të Shteteve të Bashkuara së bashku me robotë dhe pajime të tjera për orë të tëra kanë punuar për të çaktivizuar masivin e ekplozivit, me të cilin ishte mbushur apartamenti i të riut Xhejms Holms në qytezën Aurora, në periferi të Denverit. 

Sipas raportimeve të mediave amerikane, në apartamentin e vogël ndodheshin 60 bomba gati për të shpërthyer, 30 prej të cilave ishin granata artizanale. E gjithë zona është evakuuar, të paktën 5 ndërtesa përreth shtëpisë janë braktisur nga banorët nga frika e shpërthimeve.

Në fund, sipas burimeve mediatike, agjentët kanë arritur të kthejnë sigurinë në shtëpinë e Holms, duke shkëputur me sukses të gjithë telat që mund të aktivizonin bombat. Shtëpia e Xhejms Holmsit ishte cilësuar si një labirinth me tela dhe lëndë shpërthyese dhe policia lokale nuk arriti që të hynte dot në të.

Policia në periferinë Aurora të Denverit thotë se 12 persona u vranë dhe 70 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve gjatë konfuzionit që u krijua pas të shtënave. Ngjarja ndodhi ditën e premte në mëngjes kur një 24 vjeçar  i armatosur hapi zjarr ndaj tyre. Guvernatori i Kolorados Xhon  Hikenloper thotë se ai takoi disa prej viktimave: “Në raste të tilla ka viktima që mbeten të dëmtuar për jetë. Ne si komunitet kemi nisur të mbledhim ndihmat e para dhe vetëm në tre orët e para të krijimit të faqes së internetit givingfirst.com u blodhën 125 mijë dollarë ndihma”.

Kandidati republikan Mit Romni shprehu ngushëllimet në takimin që pati me mbështesëtsit e tij në Nju Hampshir. “Ne jemi zemërthyer nga kjo tragjedi.  Anna dhe unë u bashkohemi ngushëllimeve të thella të Presidenti dhe Zonjës së Parë e të gjithë amerikanëve për ata, të cilëve jeta iu ndërpre nga një ngajrje e tillë në Kolorado”.

Holms, i cili kreu aktin, përshkruhet nga fqinjët si njeri i vetmuar. Ai ishte i armatosur rëndë  dhe u arrestua menjëherë mbas ngjarjes. Së fundmi ai kishte ndërprerë studimet në shkollën mjekësore të Kolorados. Shefi i policisë së qytezës Aurora thotë se apartamenti i Xhejms Holmsit ishte një labirinth telash dhe lëndësh shpërthyese: “Të hyje në shtëpinë e tij ishte shumë e ndërlikuar. Personalisht nuk kam parë deri më sot një pamje të tillë si ajo që na u shfaq atje. Atje ka pajime nga më të ndryshmet, tela, kavanozë të mbushura me municione, kavanozë me lëndë të lëngshme shpërthyese, disa pajime që duken si mortaja”.

Kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut, Majkëll Blumberg, në një intervistë për CBS është shprehur kundër lirisë së blerjes së armëve. “Të armatosësh të gjithë dhe të kesh një Far Uest është një nga gjërat më të pakuptimta që mund të thuhet”, ka deklaruar Blumberg.

Deklaratat e kryebashkiakut erdhën pas atyre të bëra nga senatori republikan i Teksasit, Lui Gohmert, i cili shtroi pyetjen nëse, vrasësi i kinemasë mund të ishte ndalur më shpejt nëse në sallë do të kishte qenë dikush i armatosur. Masakra e kinemasë në Denver të Kolorados ka shqetësuar edhe Evropën. Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme, Secilia Malmstrom është shprehur e “rrënqethur” nga ngjarja, duke dhënë edhe një fakt tronditës. “Në Krishtlindjet e kaluara armët ishin një nga dhuratat më popullore, në mos më populloret në absolut në Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar e alarmuar komisionerja.

Siç dihet, autori i masakrës e kishte blerë armën dhe municionet në rrugë ligjore dhe për rrjedhojë nuk pati asnjë vështirësi të ekzekutonte 12 vetë dhe të plagoste 59 të tjerë. Ndërkohë, katër nga 58 të plagosurit në masakër mbeten në terapi intensive. Dy prej tyre janë në gjendje “kritike por të qëndrueshme”. Lajmin e ka bërë të ditur kirurgu i spitalit të Aurorës, Bob Snajders, i cili ka nënvizuar se për disa nga të plagosurit dëmet mund të jenë të përhershëme.

Ndërsa policia lokale ka identifikuar dy viktima të tjera të tragjedisë, mes të cilave, sipas burimeve të shtypit amerikan, është edhe një vajzë 6-vjeçare. Sulmi në sallë e kinemasë në Aurora renditet si më i rëndi në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2009, kur një ushtarak me probleme mendore vrau 13 ushtarë dhe civilë në një bazë ushtarake në Teksas. (LajmeShqip.com)