Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 18:33

Barcelonë – Më shumë se 20 persona janë lënduar në përleshjet në Barcelonë, të cilat shpërthyen pasi që demonstruesit i sulmuan të dërguarit lokal gjatë protestave për reformim të demokracisë spanjolle.

Mbi tre mijë persona janë mbledhur para Parkut të kalasë, ku ndodhet ndërtesa e Parlamentit lokal, për t’i penguar të dërguarit që të hyjnë në të.

Demonstruesit i fishkëlluan të dërguarit dhe sulmuan disa prej tyre, me ç’rast i spërkatën me sprej, gjuajtën ndaj tyre me lëvozhga nga bananet dhe i shtynë, deklaruan dëshmitarët okular. Njëri nga të dërguarit ishte i rrëzuar në tokë dhe ai është më lehtë i lënduar. Tre policë gjithashtu morën lëndime të lehta.

Policia formoi një kordon me qëllim për t’i mundësuar të dërguarve që të hyjnë në Parlament. Kryeministri i Katalonisë Artus Mas dhe të dërguar të tjerë arritën me tetë helikopterë para ndërtesës së Parlamentit, ndërsa të tjerët arritën me automjete të blinduara.

Qindra demonstrues e kaluan natën në parkun përreth, pasi që policia dëboi dje pasdite mbi dy mijë njerëz, të pakënaqur nga uljet e planifikuara të mjeteve buxhetore për arsimin dhe shëndetësinë.

Ndërkohë në Madrid demonstruesit të lidhur me lëvizjen “15 maji” mbajtën tubim kundër politikanit ekstrem majtist Kajo Lara. Në Santiago De Kompostela dhjetëra persona protestuan para Parlamentit rajonal të Galicisë.