|
|
e Enjëte, 26 Korrik 2012 13:37 Sarajevë – Në kuadër të turneut të tij ballkanik, Ban Ki-mun sot e viziton Srebrenciën, duke u bërë kështu sekretari i parë i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, që e viziton vendin e masakrës në Bosnjë Hercegovinë. 
Forcat serbe të Bosnjës i vranë afro 8 mijë burra e djem myslimanë, pasi e morën kontrollin në Srenbrenicë më 11 korrik të vitit 1995.
Mbrojtja e qytetit nga forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara ishte joefektive derisa forcat serbe hynë në qytet.
Dje, në fjalimin e tij në Parlamentin e Bosnjë Hercegovinës, Ban Ki-mun, tha se OKB-ja nuk ishte në nivel të përgjegjësisë në atë kohë të krizës.
Ban Ki-mun sot e vizitoi Qendrën Memoriale në Potoçari afër Srebrenicës, ku janë varrosur më se 6.500 kufoma të viktimave të masakrës së Srebrenicës, që ishte vrasja më mizore në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
“Duhet ta mësojmë leksionin nga Srebrenica që të parandalojmë masakra të reja nëpër botë, tha ai dhe shtoi se për një sekretar të përgjithshëm të KB-së nuk ekziston vend më i dhimbshëm për vizitë sesa ardhja në Qendrën memoriale të viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë.
“Derisa qëndroj këtu dhe i shikoj radhët pa fund me varre, emrat Amir, Hamdija dhe tetë mijë të tjerë, dua të them se Srebrenica është vend i shenjtë për familjet e viktimave, por edhe për familjen e kombeve”, porositi sekretari i përgjithshëm i KB-së.
Ban Ki-mun paraprakisht u përkul para viktimave të gjenocidit dhe vendosi kurorë tek pllaka përkujtimore.
Sot në mëngjes, zyrtari i lartë i OKB-së e vizitoi Stadiumin Olimpik në Sarajevë, ku në vitin 1984 janë mbajtur Lojërat Olimpike Dimërore.
Me këtë rast, Ban Ki-mun e kaloi me vrapim një rreth nderi në stadium.(LajmeShqip.com)