Lajme Shqip e Martë, 24 Korrik 2012 08:10

Beograd – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka theksuar në Beograd rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e zgjidhjes me anë të kompromisit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka theksuar se të dy palët duhet të përparojnë më tutje me anë të dialogut në mënyrë që të avancohet jeta e njerëzve të zakonshëm dhe që bashkërisht të ecet drejtë të ardhmes evropiane të cilën e synojnë.

Ban Ki-moon në kuadër të turneut nëpër vendet e rajonit në vizitën vet të parë në Serbi, ka theksuar se për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi esenciale promovimi i bashkëpunimit dhe pajtimit dhe i zgjidhjes së problemeve me anë të dialogut. “Kjo është me një rëndësi esenciale dhe parakusht në mënyrë që rajoni të shkonte drejtë Bashkimit Evropian. OKB është e përcaktuar për mbështetje rajonit”, ka deklaruar Ban, pas takimit me shefin e diplomacisë serbe në largim dhe kryesues i ri i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiq.

Ban ka rikujtuar se para 20 vitesh ky ka qenë rajon i konflikteve, kurse sot po fokusohet në të ardhmen, kurse Jeremiq rikujtoj se Serbia para 20 vitesh ka qenë e përjashtuar nga OKB-ja kurse sot e kryeson Asamblenë e Përgjithshme, duke shtuar se “një periudhë e rëndë ka përfunduar dhe Serbia tash e kryeson trupin nga i cili është përjashtuar duka shtuar se do ta justifikojmë besimin që na është dhënë”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka shprehur kënaqësi për zgjedhjen e Jeremiqit në postin e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme, duke shtuar se kjo është përgjegjësi e madhe. “Jeremiqi në atë postë duhet të merret me çështjet me rëndësi globale dhe unë besoj se ai do të jetë në gjendje të përgjigjet në këto sfida globale”, ka rekomanduar Ban.

Ai ka vu në dukje se në këtë kontekst do të jetë me rëndësi të ngrihet mbi interesat kombëtare dhe ka rekomanduar se Jeremiq mund të llogaris mbështetjen e fuqishme të KB. Mirëpo Ban nuk e për mbushi premtimin e tij se pas takimit me Jeremiqin do ta komentoj deklaratën e tij se “Kosova mund të hyjë në KB vetëm mbi te të vdekur”, ashtu siç pat deklaruar para dy ditësh në Zagreb.

Ministri, Vuk Jeremiq ka deklaruar se Kosova është në përbërje të Serbisë edhe me Kushtetutë edhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, kurse gjatë kryesimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të sillet në harmoni me rregullat dhe procedurat e kësaj organizate.

Pas takimit me sekretarin Ban Ki-moon, Jeremiq duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse është bërë fjalë mbi aspiratat që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së është përgjigjur se pret nga të gjithë faktorët ndërkombëtar ta respektojnë “nëse jo Kushtetutën e Serbisë atëherë Rezolutën 1244”. “Kur është fjala për anëtarësimin e territorit rreth të cilit ekzistojnë mospajtime, ato rregulla nuk janë sa duhet të volitshme për territoret secesioniste, e sidomos për territoret që janë nën mandatin e OKB-së sikurse është rasti i Kosovës”, ka thënë Jeremiq dhe ka përsëritur se Serbia do të sillet në harmoni me ato rregulla.

“Lufta për mbrojtjen e tërësisë territoriale është detyrim yni kushtetues, politik, moral e historik të cilin, jam i bindur, do ta vazhdojë edhe qeveria e ardhshme” ka deklaruar Jeremiq. (LajmeShqip.com)