Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 08:37

Bagdad – Të paktën 40 persona humbën jetën, ndërsa disa dhjetëra të tjerë janë lënduar mbrëmë gjatë shpërthimeve të katër bombave në lagjet shiite në Bagdad.

Bomba e parë shpërtheu para një xhamie shiite, e së shpejti pas saj edhe dy shpërthime të tjera ishin të aktivizuara në dy tregje, të cilat janë përplot me vizitorë në orët e mbrëmjes. Një orë pas sulmit të parë, shpërtheu edhe automobili-bombë në momentin kur afër tij kaloi një patrullë policore.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se ky është rasti më serioz i dhunës në Bagdad në disa muajt e fundit, duke theksuar se ngjarja përkujton se përparimi në sferën e sigurisë në Irak është ende i brishtë.

Deri më tani askush nuk mori përgjegjësi për sulmet, për të cilat policia dyshon se janë pjesë e ekstremistëve sunitë ose të ithtarëve të grupit të Al Kaedës në Irak, të cilët shpesh kryejnë sulme mbi xhamitë dhe lagjet shiite.

Në një incident tjetër në Bagdad është vrarë edhe një amerikan, i cili ka qenë i angazhuar nga Qeveria irakiane si ekspert civil për çështje lidhur me arsimin.