Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 10:11

Athinë – Konfederate e përgjithshme e Punës në Greqi (GSEE) për sot konvokoi grevë 24-orëshe të punonjësve në të gjitha ndërmarrjet shtetërore dhe organizatat, të cilat qeveria planifikon t’i privatizojë, kumtojnë mediat greke.

Aksioni i sindikatës më të madhe në sektorin privat është mbështetur edhe nga Këshilli i lartë i organizatave profesionale në sektorin shtetëror, i cili u bëri thirrje nënpunësve shtetëror që të marrin pjesë në grevën në Athinë dhe Selanik.

Sindikatat protestojnë kundër programit qeveritar për përshpejtim të shitjes së pronësisë shtetërore, në vlerë të përgjithshme prej 50 miliardë eurove, të cilat Greqia duhet t’i mbledhë deri në vitin 2015 në kërkesë të kreditorëve nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për t’i mbuluar borxhet.

Në grevë do të marrin pjesë punonjësit e bankave, spitaleve shtetërore, fondit shtetëror të sigurisë së pensionit IKA, kompanive elektro – kombëtare DEI, telekomit OTE, kompanisë për furnizim me ujë në Athinë dhe Selanik.

Nga mesdita deri në fund të ditës nuk do të punojë administrata lokale.

Drejt grevës vendosën të kyçen edhe gjykatësit dhe avokatët. Grevon edhe radioja greke dhe televizioni, të cilët gjithashtu janë nën rrezik nga privatizimi.

Gjatë tërë ditës nuk do të qarkullojnë trenat, ndërsa mes tyre edhe hekurudha elektrike, e cila e shërben periferinë e Athinës.

Greva e punonjësve të porteve do të kalojë nën parullën “Portet e vendit nuk shiten”.

Problem pritet të paraqitet edhe në transportin në kryeqytetin, i cili do të punojë me orar të shkurtuar. Metroja do të lëvizë pej orës 09 deri në fund të kryerjes së ndërrimit.

Sindikatat paralajmërojnë se aktivitetet greviste do të përforcohen në ditët e fundit dhe do të arrijnë kulminacion më 15 qershor, për kur është caktuar grevë e re e përgjithshme 24-orëshe, që pritet ta paralizojë të gjithë vendin.