Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 13:57

Athinë – Ka ndryshim në qasjen e Shkupit për kontestin e emrit, ka vlerësuar shefi i diplomacisë greke Dimtris Drucas.

“Përshtypja jonë është se ngadalë, por me siguri ka ndryshim në qasjen e Shkupit. Ata kuptuan se duhet të gjejnë marrëveshje me Greqinë me qëllim që të kenë perspektivë reale evropiane. Kontesti me emrin Maqedonia është çështje e cila është e ngulitur në shpirtin e çdo greku. Por, nëse dëshirojmë vërtet të gjejmë zgjidhje ne (Athina dhe Shkupi), patjetër duhet të bisedojmë që të kuptohemi më mirë me njëri-tjetrin”, ka thënë Drucas në Athinë, ku fliste për vizat e jashtme politike të Greqisë me qëllim të nxitjes së procesit të eurointegrimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor. I pyetur se nuk është kontradiktore që Greqia nga njëra anë të angazhohen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kur në të njëjtën kohë çështja e emrit me Maqedoninë nënkupton se procesi i integrimit për Shkupin është në pezullim, Drucas thotë se nuk ka asgjë kontradiktore. Sipas tij, pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Jorgos Papandreu në tetor të vitit 2009, me iniciativën e tij Athina i përforcoi kontaktet personale me liderët e Maqedonisë si mbështetje të procesit që udhëhiqet në suaza të KB-së nga ndërmjetësuesi Metju Nimic. Shefi i diplomacisë greke, gjatë kësaj e përsëriti qëndrimin e Athinës zyrtare për emrin me përcaktim gjeografik për përdorim të përgjithshëm. Greqia dëshiron emër me përcaktim gjeografik, thotë Drucas dhe përmendi shembujt për zgjidhje të mundshme si “Maqedonia Veriore” dhe “Maqedonia e Epërme” me përdorimin e të cilit nga ana e të gjitha vendeve në nivel ndërkombëtar, siç përmendi, do t’i linte mënjanë të gjitha çështjet e mundshme territoriale dhe nacionaliste.