Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 10:49

Bruksel – Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka konfirmuar të dielën se gjatë javës do të ketë një udhëtim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në një komunikatë, ku konfirmohet ky udhëtim i saj, thuhet se ajo vizitën do të nisë në Mal të Zi, pastaj do të vazhdojë në Shqipëri për të përfunduar në Maqedoni.

“Stacionet e tjera gjatë vizitës në Ballkan do të saktësohen më vonë”, thuhet në komunikatë, raporton “Koha Ditore” nga Brukseli. Burimet në BE thonë se Ashton pritet të vizitojë edhe Beogradin dhe Prishtinën për të bërë edhe përpjekjen e fundit për arritjen e marrëveshjes mes “dy palëve”.

“Unë po udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të riforcuar përkushtimin e BE-së për perspektivën  evropiane të shteteve të rajonit. Unë do t’i inkurajoj liderët në rajon që të vazhdojnë procesin e reformave dhe të promovojnë raportet e mira ndërfqinjësore”, ka thënë Ashton në prag të vizitës së saj në Ballkan.(LajmeShqip.com)