Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 15:16

Shkup- Në seancën e sotme gjyqësore të procesit “Monstra”, Prokuroria ka prezantuar ekspertizën balistike, sipas së cilës, njëri nga plumbat e gjetur në vendin e vrasjes përshtatet me armët që ishin sekuestruar në vitin 2008, tek familja Haziri.

Megjithatë, ekspertiza e bërë nuk ka saktësuar nëse plumbi përkon me llojin apo me vetë armën, duke lënë në mjegull të vërtetën mbi këtë insinuatë të ngritur nga Prokuroria, shkruan zhurnal.
Avokatët e të akuzuarve, kanë reaguar menjëherë, duke kërkuar të saktësohet nëse plumbi i gjetur në vendin e ngjarjes, është ai që i ka takuar armëve të gjetur në vitin 2008, gjatë një bastisjeje në familjen Haziri, apo vetëm me llojin e tyre. 
Prokuroria nuk ka mundur t’i përgjigjet kërkesave të palës mbrojtëse, duke krijuar kështu edhe një situatë të pafavorshme për të pandehurit. 
Para se të prezantohej ekspertiza, para gjykatës ka dëshmuar veterineri i angazhuar nga Fejzi Haziri, i cili kishte takuar këtë të fundit disa ditë para se të arrestohej, duke hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë, se i akuzuari ishte strehuar në Brezë pas vrasjes.