Lajme Shqip Wednesday, 27 March 2013 20:45

Shkup – Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Subhi Jakupi deklaroi se, ankesat e partisë VMRO-DPMNE nuk e ndryshojnë fituesin në komunën e Kërçovës.

“Kur grumbullohet i gjithë numri i votuesve, që është 1990 votues, ndërsa diferenca e kryetarin e komunës me atë që ka fituar është 2330, atëherë nuk ndikon edhe në rezultat, edhe pse, sa i përket asaj që unë pashë, këtu nuk ka edhe argumente të fuqishme për çështje të parregullsi në këto dy vendvotime, që do të thotë se çfarë do epilogu të kenë këto dy kundërshtime, nuk do të ndikojnë në rezultat”, deklaroi Jakupi.

Partia e Gruevskit ankesa në KSHZ për Kërçovën

VMRO-DPMNE, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski ka parashtruar dy ankesa pranë Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) lidhur me Kërçovën.

VMRO-DPMNE përmes dy ankesa konteston rezultatin në disa vendvotime për komunën e Kërçovës, e cila u fitua që në raundin e parë nga kandidati shqiptar Fatmir Dehari. 

Anëtarët e KSHZ sot do të vendosin lidhur me ankesat e parashtruara nga partitë politike. KSHZ nga rezultatet e para jozyrtare shpalli fitues në Kërçovë, Fatmir Deharin, kandidatin shqiptar të BDI-së, i cili fitoi 18.552 vota apo 53,35 për qind, përballë kandidatit maqedonas Bllagoja Despotovski të VMRO-DPMNE, i cili fitoi 16.222 vota apo 46,65 për qind. Dallimi midis tyre është 2.330 vota. 

Në KSHZ deri mbrëmë kanë mbërritur 350 ankesa nga koalicioni opozitar maqedonas i udhëhequr nga LSDM, 5 ankesa nga VMRO-DPMNE, si dhe ankesa nga PDSH dhe RDK, ndërsa BDI nuk ka parashtruar asnjë ankesë. (INA/LajmeShqip.com)