Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 22:04

Pentagoni tha se nga një aeroplanbartës amerikan në Detin Japonez janë aktivizuar katër aeroplanë luftarakë, pasi dy aeroplanë luftarakë rusë janë afruar më pak se dy kilometra nga luftanija e Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të mbrojtjes, Bill Urban, tha se dy aeroplanë rusë të tipit TU-142, u afruan tek aeroplanbartësi amerikan, USS Ronald Reagan, më 27 tetor.

Ky aeroplanbartës, që operonte në ujërat ndërkombëtare, i ka lansuar katër aeroplanë luftarakë të tipit F-18, për t’i takuar aeroplanët vëzhgues dhe kundërnëndetësor dhe për t’i larguar ata nga hapësira e afërt me luftanijen, ka thënë zëdhënësi Urban.

Sipas tij, ky aksion ishte “procedurë e zakonshme operuese”.

Një zyrtar i paidentifikuar i Marinës amerikane tha se pilotët nga të dy palët kanë pasur sjellje profesionale.

Shtëpia e Bardhë kumtoi se incidenti nuk paraqiste “kërcënim të veçant për përplasje”.

Interceptimi i aeroplanëve luftarakë rusë nga ana e vendeve anëtare të NATO-s është rritur pas shtimit të tensioneve për shkak të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe involvimit të Rusisë në konfliktin në pjeësn lindore të Ukrainës.