Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 12:04

Amnesty International deklaron se ka pasur një rritje të numrit të dënimeve me vdekje të kryera në mbarë botën gjatë vitit 2011, shumica e të cilave në Lindjen e Mesme.

Në një raport vjetor, grupi deklaron se Iraku, Irani dhe Arabia Saudite janë vendet përgjegjëse kryesore për rritjen e ekzekutimeve.

Por organizata vë në dukje se është edhe Kina, që ka ekzekutuar më shumë persona se gjithë pjesa tjetër e botës e marrë së bashku.

Gjithësesi, në raport theksohet se janë të pakta vendet që ushtrojnë dënimin kapital, me numrin e rasteve që ka rënë me një të tretën krahasuar me një dekadë më parë.

“Vetëm 20 vende dihet që kanë kryer ekzekutime, që do të thotë se 178 të tjera nuk po praktikojnë dënimin me vdekje”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i AI, Salil Shetty për BBC.

Sipas raportit të publikuar ditën e martë, të paktën 676 persona janë ekzekutuar në 20 vende të botës gjatë vitit 2011, krahasuar me 527 në 23 vende që ishin në vitin 2010.

Amnesty nuk publikon më shifrat për Kinën, ku të dhënat mbi dënimet me vdekje mbahen sekret. Grupi i të drejtave të njeriut beson se janë me mijëra.

Ndërsa numri i ekzekutimeve të konfirmuara në Lindjen e Mesme u rrit me pothuajse 50 për qind, në 558 raste, thotë më tej raporti.