Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 18:38

Athinë – Demonstruesit grekë e sulmuan ndërtesën e Ministrisë së Financave, që gjendet në sheshin Sintagma, në afërsi të ndërtesës së Parlamentit, në momentin kur deputetët filluan të votojnë për planin radikal për kursim, të vendosur si kusht nga kreditorët ndërkombëtarë, transmetuan agjencitë.

Rreth 30 persona me shkopinj dhe shufra hekuri e sulmuan Ministrinë, duke i thyer dritaret e ndërtesës. Ata janë penguar nga policia, e cila përdori gaz lotsjellës dhe i shpërndau në rrugët në afërsi.

Tre demonstrues janë lënduar në incidentin, që ndodhi pak më shumë se dy orë pas përleshjeve mes policisë dhe demonstruesve, të cilët kaluan përmes pengesave para parlamentit në sheshin Sintagma.