Lajme Shqip Wednesday, 02 January 2013 15:04

Athine – Me një artikull tepër fyes, acarues dhe urrejtje-ndjellës, në faqen zyrtare të partisë së tyre, neonazistët e Agimit të Artë, provokojnë edhe njëherë jo vetëm shqiptarët e thjeshtë, por në tërësi kombin shqiptar.

Duke u nisur nga kërkesa e Aleancës Kuq e Zi, që i ka kërkuar publikisht kryepeshkopit shqiptar Janullatos të largohet nga Shqipëria në mënyrë paqësore, ata i dalin në mbrojtje kreut të Kishës Autoqefale shqiptare, pavarësisht se feja dhe besimi ortodoks konsiderohen të vlefshme prej tyre, vetëm kur nuk bëhen pengesë për dogmën që ata përfaqësojnë.

Epitetet e shëmtuara, që mbjellin urrejtje, fillojnë që prej titullit të artikullit, i cili i cilëson shqiptarët si një komb kaçakësh të trembur e të leckosur, që po kërcënon kryepeshkopin Anastas, duke përfituar nga dobësitë dhe disfatizmi i qeverise së dordolecëve të Athinës, me kërkesa të pabaza dhe të egra për Çamërinë shqiptare.

Më pas, në artikull thuhet se kombi shqiptar është krijuar nga italianët dhe mbështetet sot nga faktori sionist amerikan. Shqipëria quhet prej tyre një mbeturinë e perandorisë osmane në tokën e lashtë greke të Ilirisë, ndërsa pohohet se Lëvizja e Nacionalistëve Grekë do të vendosë rendin, për sa u përket fqinjëve, që mburren me 100 vjet të historisë së tyre. Mjafton të teshtitet Greqia, që të heshtë dhe goja e shqiptarit të fundit në botë, thuhet shprehimisht në shkrim.

Sipas artikull-shkruesit, herën e fundit që ushtria greke çliroi Vorioepirin në 1940, nuk takoi asnjë ushtri shqiptare, por vetëm disa kaçakë në arrati, që ndiqnin nga pas ushtrinë italiane dhe që shquheshin veçse për dezertim dhe shmangie nga betejat, ndaj nacionalistët grekë kanë me se të mburren për të parët e tyre, kurse shqiptarët jo.

Duke përfunduar, shkrimi propagandistik nuk pranon që Agimi i Artë është parti simotër me Aleancën Kuq e Zi, ndërsa trumbeton me krenari se do të vijë koha që, me emocion dhe gëzim të veçantë, do të inagurohet krijimi i degëve të kësaj partie në Korçë, Himarë, Delvinë dhe Tepelenë, duke kënaqur, sipas anëtarëve të tij, kërkesën e helenizmit luftarak për Vorioepirin. (T.CH/LajmeShqip.com)