Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 15:39

Abu Dabi – Në konferencën e mbrëmshme në Abu Dabi, vendet arabe dhe ato perëndimore premtuan mbi 1,3 miliardë dollarë ndihmë për Këshillim kalimtar kombëtar libian (KKK).

Italia dhe Franca ofruan mbi një miliardë dollarë, përderisa Kuvajti dhe Katari premtuan 280 milionë dollarë për Fondin e sapoformuar për mbështetje të opozitës libiane.

Këshilli, i cili po përpiqet të formojë qeveri alternative të regjimit të Moamer Gadafit, paraprakisht i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta ndihmojë atë me “derdhje të freskët të parave të gatshme”.

Ambasadori i përparshëm i Libisë në KB, Abdurrahman Mohamed Shalgam, i cili mori pjesë në tubim si funksionar i KKK-së, tha se beson që pushtetit të Gadafit po i afrohet fundi dhe i bëri thirrje NATO-s që sulmet ajrore t’i kahëzojë drejt forcave të Gadafit përreth Misratës, në mënyrë që t’u “ndihmojë luftëtarëve për liri që të depërtojnë drejt Tripolit”.

Në konferencën në Abu Dabi mori pjesë edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, e cila tha se në rrjedhë janë negociatat me njerëzit e afërt të Gadafit të cilët e kanë përmendur “mundësinë për tranzicion të pushtetit”, por tha se ende nuk është e qartë se çka do të ndodhë.

Klinton nga ana e vet nuk premtoi kurfarë ndihme të drejtpërdrejtë për kryengritësit. Ajo shtoi se SHBA-ja do të ndajë 26,5 milionë dollarë për të gjitha viktimat e konfliktit në Libi.